:: english     
 
   
ASGJËSIKURDIELLI.COM | DITARI 


:: Ka kohë që na duhen  

:: Dashuria zgjatë vetëm 3 vjet  























:: Ka kohë që na duhen

Një ditë derisa po shkoja diku me makinë në qytet, kisha lëshuar Urban FM-in dhe papritmas po dëgjoja një temë interesante me gitarë. Nuk isha i sigurtë se ku e kisha dëgjuar, më binte si eko e ndonjë kënge të Radiohead apo ndoshta Coldplay, apo dicka tjetër... por kur filloi këndimi mu kujtua se është "Përtej" e Retrovizores. Sapo kishin nxjerrë albumin e ri dhe ma kishte sjellë shoku im Kresha. Sa i perket kualitetit dhe nivelit muzikor ky album ishte një milestone në rock'nrollin shqiptar. Mirëpo, mjerisht, ishte një dështim sa i perket marketingut, prandaj as nuk arriti të përhapet shumë te publiku.

Shumë shpejtë, Kreshniku shkoi në Australi, ku jeton, dhe pas më pak se një viti (nëse nuk gaboj) erdhi në Prishtinë për ta inçizuar me Retrovizoren albumin e ri "Lakuriq". Ata tani ishin ndarë nga Dritëro dhe nuk kishin këngëtar. Kresha erdhi te unë dhe më ftoi të këndoj në dy këngë, pasi që kishte vendosur t'i ftonte disa këngëtarë të "estradës" në albumin e ri. Kjo ide sipas mendimit tim do ta bënte çorbë identitetin e Retrovizores. Fatbardhësisht, në ndërkohë ata kishin gjetur një këngëtare shqiptare që jetonte diku jashtë vendit dhe studionte këndimin. Në këtë album tani vokalet i këndonte një vajzë (nuk me kujtohet emri), me një zë mjaft intim. Edhe "Lakuriqi" doli si album i kompletuar që ecte me kohën. Kësaj rradhe Retrovizorja ishte më komerciale, në kuptimin pozitiv, këngët janë më të buta dhe më të afërta me publikun. Por, prap kanë dështuar me lancim të albumit. Janë vonuar shumë me elementin kryesor të promovimit: video klipin.
Është e pabesueshme se sa i rëndësishëm është video klipi për promovimin e muzikës.

Por, në anën tjetër Humus kur e nxorri albumin e parë, ata ia bënë të gjitha hyzmetet. I bënë disa video klipe, disa koncerte dhe ishin relativisht aktivë në skenën kosovare dhe atë të shqipërisë. Mendoj se Humus janë bend mjaft profesional. Disa nga tekstet janë aktuale dhe kanë mesazhe proteste, por të butë dhe nganjëherë marrin ngjyrim gati pesimist.

Papritmas, doli Sansara. Welcome to Prishtina. Muzikë për disponim të mëngjesit. Muzikë e popullarizuar britanike apo brit pop. Disa këngë mjaft të freskëta dhe të një rryme tjetër që "ka kohë që na është dashur".

Dhe më në fund Genc Salihu e lancoi albumin e parë me bendin e tij Cute Babulja. Më kujtohet herën e parë kur doli në sipërfaqe Genci ishte 15 vjec. Kishte zë dhe këndonte shumë larg nga mosha e tij. Më duhet ta pranoj se për një moment e kishte dridhur tokën nën këmbët e mia, aq më tepër kur edhe e dashura ime e atëhershme më tha: "shumë më pëlqen si këndon Genci"... Nejse. Cute Babulja është edhe një gjë totalisht e re dhe krejt ndryshe me atë çka jemi mësuar të dëgjojmë në shqip. Si në muzikë ashtu edhe në video klipe. Mund ta ndjesh se janë plotësisht të dashuruar në punën e tyre. Më pëlqen ambalazhimi i Cd-së. Cute Babulja është guitar bend i pastër. Muzika e tyre ka një eksplodim shpirtëror të kontrolluar me një miks të këngëve me eho të jazz-it, reagge-së dhe shpeshherë me reflekse të melodive të Beatles. Gjëja që më ka mbetur në kokë nga ky album është: ...ajo më nuk më do...

2004 duhet të jetë viti më produktiv i rock'nrollit shqiptar, sado që është i varfër. Më në fund dolën në sipërfaqe shumë muzikantë që po bluanin dicka në underground qe disa vjet. Tani të paktën është formuar një lloj konkurence. Por problemi më i madh tani qëndron te koncertet, rruga më afërt te publiku dhe mënyra e vetme për t'iu dhënë jetë këngëve. Gjithashtu, më duhet të them se për mua personalisht - nganjëherë kur është atmosfera dhe publiku i mirë - skena është sikur kokain. Publiku dhe muzika ta heq mendjen, të bën King fuckin Kong. Por asnjëri nga këto bende nuk ka mbajtur më shumë se 4-5 koncerte në vit. Praktikisht, asnjë bend përveë Humus nuk kanë pasur asnjë koncert të vetin. Të gjithë janë bende studiosh. Asnjë nuk ka kontakt me publikun. Mbase të gjithë janë duke pritur si ai piktori i O'henrit që po plakej duke pritur për ta bërë potezin e parë të kryeveprës së tij.


Albann
15 Shtator 2004